Kush jemi

Më 12 tetor 1995 Motrat Venerini fillojnë misionin e tyre në fshatin Gjadër. Duke u nisur pikërisht nga misioni për të shërbyer, ato e konkretizojnë praninë e tyre në takimet e vazhdueshme me fëmijet,  adoleshentët dhe të rinjtë; punë kjo jo shumë e thjeshtë sepse e gjejnë fshatin e Gjadrit në një varfëri të tejskajshme dhe në një kaos total që kishte lënë periudha 50- vjeçare e komunizmit.

Duke parë të gjithë vështirësitë që grupet e të rinjve dhe fëmijëve hasnin në shkollim, ato, përveç katekizmit që organizonin çdo javë, filluan të ofronin edhe mundësi për bërjen e detyrave, kurse të ndryshme dhe aktivitete edukative duke ju dhënë kështu mundësinë që të kalonin një kohë të shëndoshë së bashku dhe të mund t’i shmangeshin sa më shumë rrugës.

Aktivitete të tjera, si ai i qendisjes, rrobaqepsisë apo parukerisë u ofruan për vajzat dhe gratë e fshatit që gjendeshin në papunësi. E gjitha kjo bëhej nën moton e Motrave Venerini:  “Të edukosh për të çliruar”.

Në vitin 1997, ndërkohë që Shqipëria gjendej në kaosin e një lufte civile dhe vrasjet dukeshin gjëja më normale, edhe një herë fëmijët dhe të rinjtë e Gjadrit udhëhequr nga Motart Venerini nuk qëndruan duarkryq. Morën nismën të pastrojnë fshatrat nga shenjat e vdekjes duke mbledhur kështu me mijëra gëzhoja që simbolizonin dëshirën e tyre për paqen dhe jetën në një kohë që e gjithë Zadrima ( përfshirë këtu edhe shkollat) ishte e mbyllur nga frika. Por fëmijët e Gjadrit mblidheshin pranë Motrave Venerini për të dhënë një shenjë shprese. Nga këtu lindën Ambasadorët e Paqes, shoqatë e themeluar nga Antonio Sciarra dhe motër Enrica Giovannini (Motër Venerini) e cila zhvillonte aktivitetet e saj për evidentimin e problematikave të Shqipërisë dhe kërkonte që nëpërmjet këngës, recitaleve dhe aktiviteteve artistike të tejçonte një mesazh paqeje dhe drejtësie.

Megjithatë rreziku që ju kanosej të rinjve dhe të rejave të fshatit ishte shumë i madh. Rrjetet e krimit të organizuar përfshinin me një shpejtësi marramendëse të rinjtë dhe adoleshentët. Po ashtu, papritmas, të rinjtë e Gjadrit, u gjendën edhe përpara plagës së prostitucionit. Ç‘mund të bëhej ndërkohë që para syve të tyre çdo ditë zhdukeshin të rinj dhe të reja. Prandaj lindi këtu shoqata “Lutje- veprim”. Kjo shoqatë, e përbërë nga të rinjtë dhe të udhëhequr nga famullitari Antonio Sciarra dhe Motrat Venerini, kishte për qëllim nëpërmjet lutjes dhe senisbilizimit të mund të parandalonte, mbronte dhe kuronte plagët me të cilat po përballej mbarë Zadrima dhe shoqëria shqiptare. Të rinjtë mblidheshin për lutje, për të diskutuar, për të bashkëndarë dhe për të gjetur strategji të reja për përballjen e problemit.

Ndërkohë që grupi rritej, lindnin dhe nevoja të reja, prandaj në vitin 1999 u hap Qendra Rinore Venerini e cila zgjeroi aktivitetin e saj në hapjen e një shkolle profesionale (së pari 2- vjeçare për gjuhë të huaja dhe kompjuter, më pas 3- vjeçare për ekonomi- turizëm dhe 5- vjeçare)e cila u ofroi mundësinë e shkollimit qindra adoleshentëve dhe të rinjve të të gjithë Zadrimës, të rinj që shpeshherë mund të mos kishin ndjekur asnjëherë një shkollë për shkak të mundësive të tyre familjare apo mentalitetit të ngurtë, sidomos në lidhje me femrën. Qendra Rinore Venerini vazhdon ashtu si 25 vite më parë të promovojë dinjitetin e njeriut nëpërmjet aktivitetve sensibilizuese, parandaluese, formuese; nëpërmjet aktiviteteve të  posaçme për fëmijë adoleshentë dhe të rinj (që përfshin kurse formuese, takime psikosociale dhe lojëra); nëpërmjet organizimeve të ndryshme për të rriturit (takimeve me tema të ndryshme, laboratorit të fasonerisë dhe vizitave të vazhdueshme në familje); nëpërmjet Gjimnazit Jopublik Rogacionistët ( gjimnaz ky në bashkëpunim me etërit Rogacionist dhe që drejtohet nga Motrat Venerini); por edhe nëpërmjet shtëpisë Rozalba e cila mirëpret vajza nga nga 8 në 18 vjeç dhe shtëpisë së riintegrimit, shtëpi për vajza mbi 18 vjeç dhe konviktoret.