Vizioni
“Të edukosh për të çliruar”
Misioni
Nëpërmjet aktiviteteve parandaluese, sensibilizuese, formuese dhe edukative kemi për qëllim të mbeshtesim dhe të shoqërojmë fëmijët, adoleshentët, të rinjtë, të rriturit dhe të gjithë personat në nevojë që të realizojnë hap pas hapi jetën e tyre dhe të kuptojnë rolin e tyre në shoqëri, duke zbuluar kështu thirrjen e tyre.
Fondacioni “QENDRA RINORE MOTRAT VENERINI – GJADËR LEZHË” është një organizatë jofitimprurëse, joqeveritare dhe jopolitike. Zhvillon aktivitete në fushën sociale, edukative, formuese, në mbrojtjen e të drejtave, në fushën e antitrafikimit dhe të promovimit të njeriut. Këto aktivitete realizohen nëpërmjet projekteve të ndryshme dhe vullnetariatit. Ne besojmë dhe ndaj promovojmë zhvillimin e vullnetariatit si formë zhvillimi qytetare dhe shoqërore. Ndër aktivitetet që zhvillohen, fokus kryesor është promovimi i të drejtave; mbrojtja e minorenëve, viktimave të trafikimit, gra dhe viktima të dhunës, të rinjve, familjeve dhe të gjithë personave që gjinden në situata nevoje, në vështirësi sociale dhe ekonomike. Zhvillohen aktivitete sociale, formuese dhe profesionale ku këto të fundit kanë si qëllim shoqërimin e përfituesve drejt punësimit. Ndër këto aktivitete realizohen kurse formimi për edukatorë, animatorë e vullnetarë. Fokus i rëndësishëm për ne është promovimi i të drejtave, kështu të bëhemi zëri i atyre që zë nuk kanë, ndaj realizojmë kongrese, spektakle, manifestime, aktivitete sportive, muzikore, filma-dokumentarë, video që janë të lidhura me tematikat e ndryshme sociale, edukative e pedagogjike. Të gjitha këto bëhën për të shoqëruar individin në tërësinë e tij duke mos lënë pas atë çka është thelbësore: shoqërimin e të gjithë atyre që na janë besuar drejt zbulimit të të qenurit bij të Hyjit. Ndaj edhe qendra shoqëron nëpërmjet takimeve katekistike dhe eksperiencave të lutjes të gjithë fëmijët, adoleshentët dhe familjet e zonës ku shtrihet veprimtaria. Shërbimet tona janë:
- Qendra multifunksionale ditore për fëmijë, adoleshentë, të rinj dhe të rritur, e cila ofron
takime formimin, sensibilizimi dhe parandalimi për problematikat e ndryshme të trafikimit,
dhunës dhe shfrytëzimit. - Qendra Rezidenciale si Shtëpi Familje Rozalba, ku ofrojmë shërbim rezidencial për vajzat
jetime, viktima të dhunës, trafikimit, të braktisura nga mosha 6 -18 vjeç. - Qendra e Riintegrimit e cila ofron rezidencë për vajzat e Shtëpisë Rozalba që kanë mbushur moshën 18
vjeç dhe që po përgatiten të bëhen të pavarura. - Qendra e Emergjencave 72 orëshe që ofron shërbime për rastet e emergjencës për vajza, gra e
nëna në vështirësi, edhe këto viktima të dhunës dhe trafikimit. - Konvikt në qytetin e Lezhës për vajzat nga mosha 14-18 vjeç, të cilat për shkaqe ekonomike ose gjeografike nuk
mund të frekuentojnë shkollën e mesme.