Darkë Bamirësie në Milano në mbështetje të “Shtëpisë Rozalba” – Një mbrëmje solidariteti dhe misioni

Në Oratorin e Famullisë San Martino Bollate në Milano, u organizua një darkë bamirësie me rreth 250 pjesëmarrës, besimtarë të famullisë, miq nga komuniteti përreth dhe shumë shqiptarë që jetojnë në Itali.

Mbrëmja u ofrua dhe u përgatit me shumë përkushtim nga një grup të rinjsh dhe të rriturish të famullisë, të cilët prej vitesh ndajnë eksperienca të përbashkëta misionare. Mes tyre ishte edhe grupi “Orizonti Sportivi”, të cilët në fund të muajit mars do të vijnë në Shqipëri për të vazhduar shërbimin dhe aktivitetet e tyre.

Kjo darkë nuk ishte thjesht një mbledhje rreth tryezës, por një moment bashkimi, solidariteti dhe mbështetjeje për misionin dhe projektet që ndërtojnë ura mes komuniteteve.

Një falënderim i veçantë për të gjithë ata që kontribuan, morën pjesë dhe e bënë këtë mbrëmje një dëshmi të gjallë se kur zemrat bashkohen, horizontet zgjerohen.